Home Albania Gjakmarrja ne Shqiperi
PDF Stampa E-mail
Martedì 19 Aprile 2011 21:46

Gjakmarrja ne Shqiperi

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi.

Si e shikon ai fenomenin e gjakmarrjes; Problematika; dhe si përballet institucioni i Policisë së Shtetit me këtë fenomen. Drejtori i Policisë së Shtetit duket se ka një predispozitë maksimale për të folur për gjakmarrjen. Është ideator i një studimi dhe mendon se ulja e krimit, që ka si motiv gjakmarrjen, është një hap i mirë për Shqipërinë. Gjithsesi, ...”ka tendenca të fshehjes së krimit për t`i bërë vetëgjyqësinë në bazë të Kanunit dhe Dheut, siç ka dhe largime jashtë vendit të autorëve të krimit, për të cilët është kërkuar nga INTERPOLI ekstradimi i tyre për t`i përballur me organet e drejtësisë.
Gjakmarrja mbetet një plagë e rëndë për shoqërinë shqiptare dhe viktimat për shkak të saj kanë qenë të konsiderueshme.

Si përballet Policia e Shtetit me këtë fenomen?

”Është e vërtetë që, pas shembjes së diktaturës komuniste në vitet `90, gjakmarrja mori përmasa të konsiderueshme, sidomos në rrafshin e Shqipërisë së Veriut. Pas një letargjie gati 50 vjeçare, kodi zakonor penal, i kodifikuar si Kanuni i Lekë Dukagjinit “fitoi të drejtën e qytetarisë,” pra në zgjidhjen e konflikteve të mbartura ndër vite si dhe të lindura rishtas, për shkak të pronës, problemeve të marrëdhënieve komunitare, etike e morale, gjithnjë e më tepër po fitonte terren vetëgjyqësia.
Pa dyshim që të parat janë strukturat e Policisë së Shtetit që përballen me krimin e vrasjes për gjakmarrje dhe hakmarrje, sepse ajo ka detyrimin ligjor për sigurimin e rendit dhe të qetësisë publike, për mbrojtjen e jetës së qytetarit e të veprimtarisë së komunitetit në përgjithësi. Krimi i vrasjes për gjakmarrje ka specifika të veçanta, që lidhen ngushtë me psikologjinë, traditën dhe zhvillimin social-kulturor të zonës dhe si i tillë është një problem kompleks që nuk lidhet vetëm me punën e uniformave blu. Ndaj dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka hedhur një hap të madh përpara, përsa i përket bashkëpunimit me organet e pushtetit vendor, me shkollat dhe OJQ, me grupe dhe individë autoritarë për rezultante të përbashkëta pune për minimizimin dhe zhdukjen e fenomenit të gjakmarrjes. 
Si rezultat i kësaj pune ka një rënie të ndjeshme të numrit të vrasjeve në përgjithësi dhe për gjakmarrje në veçanti. Mjafton të përmend që gjatë vitit 2008 numri i vrasjeve ishte në minimumin e vet historik, 85(!) dhe ato për gjakmarrje vetëm 4 raste, në vitin 2008, vrasjet me paramendim janë ulur me 39 raste, që është rrjedhojë e një pune të përkushtuar të strukturave të Policisë së Shtetit. 
Rendësi të veçantë në këtë drejtim i kemi kushtuar njohjes së gjendjes konkrete të lagjes, zonës, të familjeve në gjakmarrje, familjeve të ngujuara, të lindjes së konflikteve të reja dhe parandalimi i thellimit të tyre. Ne strategjinë e punës sonë mbetet performanca dhe bilanci i përditshëm i policimit në komunitet në lidhje me rezultatet e punës minutë pas minuti, orë, ditë e me radhë. Këto janë të “ardhurat bruto” i policimit të organizatës që për rrjedhojë sjell të “ardhurat neto” qe janë ulja e krimit në përgjithësi dhe ajo e gjakmarrjes në veçanti…përfitime këto të drejtpërdrejta të komunitetit. Dhe shifrat e bilanceve flasin për arritje të rëndësishme në këtë drejtim”.

Kush e vështirëson punën e policisë në këtë drejtim dhe a përbën njollë për Shqipërinë, sipas jush, fenomeni i gjakmarrjes në kuadrin e integrimit në strukturat evropiane dhe euroatlantike…

“Me implementimin e Ligjit të Ri për Policinë e Shtetit janë bërë ndryshime esenciale në strukturë dhe në format e policimit në komunitet, në modernizimin dhe ngritjen profesionale të organizatës së policimit. Mund të them se rezultatet e punës në këtë drejtim janë të dukshme, prezenca e policimit në komunitet është e dukshme, besimi i komunitetit tek punonjësi i policisë është dukshëm në rritje, forca e parandalimit të konflikteve inkurajuese. Kjo ka sjellë që shumë mosmarrëveshje që mund të kishin pasojë krimin e vrasjes, e më tej gjakmarrjen, janë parandaluar, neutralizuar dhe zgjidhur mes palëve me ndërhyrjen e Inspektorit të policisë së Zonës, në bashkëpunim me organet e pushtetit vendor, OJQ etj. Pra në këtë kontekst misioni i Policisë është gjithëpërfshirës ku baza e saj është komuniteti.
Në këtë punë, padyshim që ka vështirësi, qoftë të natyrës objektive por dhe subjektive. Është e ditur që gjakmarrja ka rrënjë të thella në psikologjinë, mentalitetin dhe “të drejtën zakonore” në disa zona në veri të vendit, sidomos në Qarkun e Shkodrës, Lezhës, në Kurbin, Krujë etj, ka inspirues të gjakmarrjes përballë veprimit të ligjit, ka tendenca të fshehjes së krimit për t`i bërë vetëgjyqësinë në bazë të Kanunit dhe Dheut, siç ka dhe largime jashtë vendit të autorëve të krimit, për të cilët është kërkuar nga INTERPOLI ekstradimi i tyre për t`i përballur me organet e drejtësisë. Për këto dhe kriminelë të tjerë të kërkuar nga institucioni ynë brenda dhe jashtë vendit rezultatet janë inkurajuese. Në strategjinë tonë qëndron përdorimi i forcës së pushtetit me efikasitet, eficencë dhe drejtësi. Në fund të fundit puna më e rëndësishme e policisë është reduktimi, ulja në minimum e kriminalitetit. 
…Diçka për “njollën” që shtroni ju në pyetje…Krimi, i çdo natyre qoftë, e aq më shumë vrasja, është njollë dhe padyshim që të tilla njolla kanë të gjitha vendet dhe ato me demokraci perëndimore të konsoliduar. Rëndësi ka transparenca për t`a njohur njollën dhe vullnetin për t`a luftuar, për t`a fshirë atë. Njolla e gjakmarrjes qëndron para së gjithash në lashtësinë biblike te saj, që padyshim do të fshihet shpejt me konsolidimin e mëtejshëm të shtetit ligjor…

A keni statistika për familjet e ngujuara dhe me cilat struktura bashkëpunoni për ç`ngujimin e tyre?
“Sigurisht që kemi statistika të përmuajshme që ndjekin në dinamikë problemet që lidhen me gjakmarrjen për çdo qark, rreth, komunë e deri në lagje e fis. Po të krahasosh statistikat, tendenca e rënies të numrit të familjeve në gjakmarrje, të ngujuara, të fëmijëve që nuk vazhdojnë shkollën nga viti në vit është në rënie. Ka një tendencë staniacioni të personave të ngujuar, përkundrejt uljes së ndjeshme të ngujimeve kolektive, që mendoj se është rezultat pozitiv i punës së strukturave të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me organet e pushtetit lokal, të OJQ- ve, të shkollës, organet e drejtësisë etj 
Statistikat në fund të fundit flasin për cilësinë dhe efektivitetin e punës që nga inspektori i Policisë së Zonës, organizata e policimit, e deri në strukturat e Drejtorisë së Qarqeve apo të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit”.

Po Shoqatat e Pajtimit të Gjaqeve…


“Nuk mund të anashkaloj dhe realitetin e njohur për ekzistencën e Shoqatave të Pajtimit të Gjaqeve, sidomos në Qarkun e Shkodrës dhe të Lezhës. Këto shoqata u ngritën në kohën latante të shtetit ligjor, u zgjeruan në vitin `97. Kjo ndodhi dhe në Kosovë, me të urtin Anton Çeta, por në një realitet krejt të ndryshëm: në kapërcyell të ekzistencës dhe mbijetesës së popullit martir të Kosovës ndaj gjenocidit të pushtuesit serb.
Me forcimin e strukturave të shtetit, përgjegjëse në zbatimin e ligjit në goditjen dhe dënimin e krimit të vrasjes për gjakmarrje, “hapësirën” e tyre, sado që të jetë, kuptohet, do t`a zërë Ligji… 

Policia është e vetmja strukturë e shtetit që ka lehtësuar fenomenin e ngujimit. Mendoni se mund të bëhet më shumë?
“Policia e Shtetit është struktura kryesore, por jo e vetmja. Është e rëndësishme të kuptojmë që janë qytetarët në pararojë të luftës kundër krimit, e në rastin konkret kundër gjakmarrjes, ndërsa strukturat e policisë, të drejtësisë janë përgjegjëse për t`a goditur dhe dënuar pa kompromis atë. Ndaj mund të shtoj që dhe për sa i përket fenomenit të ngujimit mund dhe duhet të ishte bërë më shumë. E them këtë se gjithnjë e më tepër opinioni i shëndoshë qytetar, komuniteti i zonave të prekura nga fenomeni, e dënon ngujimin, sidomos atë kolektiv dhe kjo është një avantazh më tepër në punën tonë. Kam bindjen se në të ardhmen, profesionalizmi, besimi në vlera gjithnjë e në ngritje e organizatës së policimit do të fitojë mbi atavizmin e ngujimit drejt krijimit të ambienteve të sigurta të jetës dhe veprimtarisë publike”.

Ju, Zoti Drejtor i Përgjithshëm, keni dhe një material studimor-shkencor për fenomenin e gjakmarrjes. Cili është thelbi i këtij studimi?
“Për fenomenin e gjakmarrjes është shkruar shumë, nga studiues vendas dhe të huaj. Në studimin tim përpiqem që rrafshi i përqasjes dhe i trajtesës të jetë jo thjeshtë në vlerat historike, se sa në përfundime profesionale të goditjes së fenomenit. 
Kanuni i Lekë Dukagjinit u krijua dhe u ngjiz mbi bazën e trashëgimisë paraardhëse kanunore të trevave veriore shqiptare, si karakteristikë e komuniteteve pa autoritet shtetëror, si në shumë popuj të Ballkanit dhe më gjerë, si Italia, Korsika, Spanja, Japonia etj. etj…Por, ndoshta është rast unikal i shndërrimit të tij në të Drejtë Kanunore Penale, i pranuar dhe i zbatuar nga prijësat, vasalët dhe vegjëlia me fanatizëm dhe pa ekuivok, siç është dhe rasti për të cilën po flasim, pra për gjakmarrjen. Në këtë aspekt studimi analizon shkaqet dhe arsyet, veçoritë dhe dallimet substanciale të së Drejtës Zakonore, e më tej Penale shqiptare, me simotrat e saj në rrafshin historik e gjeografik.
Në studim tentohet të analizohen prirjet e veprimit të Kanunit në të ardhmen dhe masat për minimizimin e pasojave të prirjes…ashtu siç dhe jepen konsiderata juridike – penale për dënimin e krimit të gjakmarrjes mbështetur në Kodin Penal në fuqi.
Një vend të veçantë në studim zë dallimi esencial midis krimit të vrasjes për hakmarrje dhe asaj për gjakmarrje. Gjakmarrja është një vrasje e pritur, e paralajmëruar, ka kufizime e caqe të përcaktuara qartë nga e Drejta Kanunore Penale, ndërsa hakmarrja ka dhunën pa cak e kufi, pa “rregulla” e pa norma dhe vepron në xhungël…e shpesh merr formën e larjes së hesapeve mes bandave.
Është e udhës të theksoj se në Kanunin e Lekë Dukagjinit ka rregulla krejt të përcaktuara për marrjen e gjakut, por që tani, në të shumtën e herës ato janë keqinterpretuar, shpërdoruar dhe injoruar, siç mund të përmendim ngujimet kolektive, sidomos i fëmijëve, vrasja e të miturve, e grave, apo vrasjen në besë etj., fondamentalizma që analizohen gjerësisht në studimin që ju përmendet etj.”.

 Gerta Veliù

Ultimo aggiornamento Martedì 19 Aprile 2011 21:57
 
Banner
Banner
 

Ti potrebbe interessare anche

 

Il Segna Libro

gli_uffici_di_intelligence.jpg